|
Të dashur miq, Ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen. Është tepër prekëse prania e ju të gjithëve në këtë ceremoni, që deri dje mendonim se ishte vetëm e Albasit, por sot e kuptoj se është e ne të gjithëve. Pa mbështetje kushdo mund të arrijë diku, por me mbështetje arrihet shumë larg, siç kemi arritur ne. Kjo ditë më ngjan si dita e falënderimeve, ndaj fjalën time e kam ndërtuar në këtë formë. Më lejoni t’i lexoj këto falënderime, pasi kam frikë se mos harroj ndonjë. Ndoshta një ditë këtë mund ta përshtat dhe në formën e një poezie. Falënderoj në radhë të parë bashkëpunëtoret e mia më të afërta, Natashën, që më mësoi modelin e një heroine të heshtur në punë; Falënderoj Evën, që nuk më është ndarë asnjëherë në gjithë këta vjet, as atëherë kur nuk kisha mundësi t’i jepja rrogën dhe kur në horizont nuk dukej ndonjë dritë jeshile për Albasin; Falënderoj të gjitha vajzat e stafit, që më frymëzojnë me idetë dhe energjinë e tyre të bukur rinore; Falënderoj të gjithë ekipin e Albasit (në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë) që është aq i përkushtuar, sa harron se është i punësuar; Falënderoj të gjithë autorët që na besojnë ne punën e tyre intelektuale dhe e ndiejnë veten në Albas si në shtëpinë e tyre; Falënderoj të gjithë mësuesit që bashkëpunojnë me ne, që na besojnë e na sugjerojnë vazhdimisht ide të reja për punën tonë; Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët tanë të viteve të kaluara e të viteve të sotme, distributorë; shtypshkronja, agjenci dizajni e reklamash, banka me të cilët kemi bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme; Falënderoj institucionet shtetërore, me të cilat kemi pasur dhe kemi marrëdhënie partneriteti korrekte; Falënderoj studiuesit e pedagogët, disa prej të cilëve ish-pedagogët e mi, prej të cilëve ke gjithnjë se ç’të mësosh; Falënderoj të gjithë ju që na mbështesni qoftë duke na ofruar bashkëpunim, qoftë dhe shpirtërisht, sepse na shtoni besimin në punën tonë; Falënderoj dhe ata që na hedhin baltë apo na godasin me gurë se na shtojnë besimin që pema jonë është mbushur me kokrra; ata na bëjnë më tolerantë, pasi ne gjithnjë në këto raste përdorim atë shprehjen e mrekullueshme të Krishtit: “Fali o zot se nuk e dinë ç’po bëjnë”. Falënderoj të gjitha mikeshat dhe miqtë tanë, prej të cilëve nuk harrojmë asnjëherë se biznesi dhe miqësia janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme; Një falënderim i veçantë për mbesat Erdetën, Semelën, nipin Artinin dhe vajzën time Sofianën e shoqen e saj Inën, që u rritën në zyrat tona, prandaj filmi që realizuan ishte aq i bukur në sinqeritetin dhe dashurinë që transmetonte; I falënderoj dhe për arsyen madhore se nuk na lenë të plakemi në ide e në veprime; Falënderoj prindërit e mi që nuk jetojnë më, dhe që sot do të ishin njerëzit më të lumtur në këtë sallë. Ata më mësuan se duhet të kem në jetë miq, pasi jeta me ta bëhet më e bukur dhe më e lehtë. Por, gjithashtu, më mësuan se suksesi i vërtetë vjen vetëm duke u mbështetur në shpatullat e vetvetes; Dhe së fundi, falënderoj mikun e jetës sime, Latifin, të cilin e njoha vonë në jetë, por më mirë, sepse të dy jemi dy individualitete të ndryshme. Ai më ndihmoi të gjej ekuilibrin në jetë: Të mos marr kot në raste gëzimi e suksesi dhe të mos bie në dëshpërim e demoralizim në raste kur jeta bëhet e rëndë. Me një fjalë të fluturoj me këmbët në tokë. E falënderoj dhe për një arsye tjetër se më ka bërë më patriote. Edhe një herë një falënderim dhe përqafim për ju të gjithë. Drejtoresha e botimeve Albas |










